- Pse dokumentacioni i mirë është gjysma e betejës
- Dokumentet nga vendngjarja e aksidentit
- Raporti i policisë rrugore
- Dokumentacioni mjekësor
- Raporti i paaftësisë së përhershme dhe mjeku ligjor
- Dokumentet për dëmin pasurior
- Dokumente personale dhe të identifikimit
- Raporti Europian i Aksidentit
- Dokumente shtesë për raste vdekjeje
- Checklist i plotë për ju
Një dosje e plotë dhe e mirëpërgatitur është baza e një dëmshpërblimi të suksesshëm. Në Shqipëri, ku procedurat administrative janë ende të ndërlikuara, mungesa e një dokumenti mund ta zvarritë rastin tuaj, ndërsa shpenzimi që nuk vërtetohet me dokumente nuk paguhet. Kërkesa duhet paraqitur brenda 2 viteve nga data e aksidentit, edhe nëse disa dokumente mungojnë ende.
Ky udhëzues detajon të gjitha dokumentet që nevojiten sipas Ligjit Nr. 32/2021 “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit” dhe Rregullores nr. 125, datë 28.07.2021, të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Çdo dokument shpjegohet hap pas hapi — ku ta merrni, si ta plotësoni, dhe pse është i rëndësishëm.
1. Pse dokumentacioni i mirë është gjysma e betejës
Kur kërkesa nuk është e plotë, shoqëria e sigurimit duhet t’ju drejtohet me shkrim brenda 8 ditëve kalendarike dhe të listojë çfarë mungon (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pika 5; Rregullorja e AMF, Neni 5, pika 6). Mungesa e një dokumenti, pra, nuk e ul vetvetiu shumën, por e vonon trajtimin, dhe shpenzimi që nuk vërtetohet nuk paguhet.
Një dosje e paplotë ju kushton në tre mënyra:
- Kohë — afati i trajtimit (90 ditë kalendarike për dëmet ndaj personit, 30 për dëmet ndaj pronës) fillon vetëm nga depozitimi i kërkesës me dokumentacionin e plotë
- Para — shpenzimet spitalore dhe farmaceutike paguhen vetëm kur vërtetohen me dokumente të rregullta
- Forcë në ankim — pa dokumentacion, çështja bëhet e vështirë edhe në gjykatë
Këshillë profesionale: Filloni të mblidhni dokumentet që në ditën e aksidentit. Çdo faturë mjekësore, çdo recetë, çdo foto — të gjitha kanë vlerë në procesin e dëmshpërblimit. Kur e dini se cilat dokumente nevojiten që nga fillimi, procesi bëhet shumë më i thjeshtë.
2. Dokumentet nga vendngjarja e aksidentit
Dokumentimi fillon që në momentin e aksidentit. Nëse gjendja juaj fizike e lejon, këto janë veprimet kritike:
Fotografi dhe video
- Foto të të gjitha mjeteve të përfshira, nga disa kënde
- Foto të dëmeve specifike (paraqitje të detajuar)
- Foto të targave të mjeteve
- Foto të vendit të aksidentit — rruga, shenjat, semaforët
- Foto të gjurmëve në rrugë (frenimi, copëzat e xhamit)
- Video të shkurtra nëse është e mundur
Të dhëna të dëshmitarëve
- Emrat e plotë të dëshmitarëve
- Numrat e telefonit
- Adresat (nëse janë të gatshëm të japin)
- Deklarata të shkurtra nga dëshmitarët
Të dhëna të palës tjetër
- Emri dhe mbiemri i plotë i shoferit
- Numri i lejes së drejtimit
- Targa dhe dokumentet e mjetit
- Emri i kompanisë së sigurimeve dhe numri i policës
- Numri i telefonit
3. Raporti i policisë rrugore
Raporti zyrtar i policisë, procesverbali i konstatimit të shkeljes, është një nga dokumentet kryesore të dosjes së dëmit (Rregullorja e AMF, Neni 10, pika 4; Neni 24, pika 4). Ai pasqyron zyrtarisht:
- Rrethanat e aksidentit
- Palët e përfshira
- Vendin dhe kohën
- Shkakun e aksidentit dhe fajtorin
- Dëmet e vëzhguara
Thirrni policinë (129) kur ka të lënduar, kur dëmi kalon 30 000 lekë ose kur nuk bini dakord me drejtuesin tjetër (Ligji Nr. 32/2021, Neni 14, pikat 2 dhe 5). Përjashtim bëjnë vetëm dëmet ndaj pronës deri në 30 000 lekë, kur drejtuesit bien dakord dhe plotësojnë Raportin Europian (shihni pikën 8). Nëse nuk jeni të sigurt për vlerën e dëmit, thirrni policinë. Kërkoni numrin e raportit dhe sigurohuni që të dhënat tuaja janë shënuar saktë.
Shkaktari i aksidentit mund të përcaktohet edhe me vendim gjykate ose, për dëmet ndaj personit, me dokumentacionin e procedimit penal (Rregullorja e AMF, Neni 10, pika 4).
Raporti i policisë mund të merret në komisariatin rrugor që ka trajtuar rastin. Nevojitet dokument identifikimi dhe numri i referencës. Në disa raste ju jepet në momentin e aksidentit, në të tjera duhet të ktheheni më vonë. Valore mund ta kërkojë për ju, si pjesë e mbledhjes së dokumentacionit.
4. Dokumentacioni mjekësor
Dokumentacioni mjekësor është baza mbi të cilën vlerësohet shkalla e paaftësisë, dhe prej saj varen dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial. Asnjë dokument mjekësor — sado i vogël — nuk duhet të humbet.
Nga urgjenca dhe spitali
- Raporti i urgjencës (QSUT, spitali rajonal)
- Raporti i pranimit në spital, fletështrimi dhe fletëdalja
- Epikrizat e qëndrimit në spital dhe anamneza
- Kartelat klinike të trajtimit spitalor (fotokopje e vulosur dhe e firmosur nga zyra e statistikës)
- Kartela mjekësore personale e shërbimit ambulator të lagjes
- Raportet operatore (nëse ka pasur ndërhyrje)
- Recetat dhe medikamentet e përshkruara
Raporte të specializuara
- Raporti nga neurologu (për lëndime koke ose shtylle kurrizore)
- Raporti nga ortopedi (për fraktura dhe lëndime muskuloskeletore)
- Raporti nga neurokirurgu (për raste të rënda)
- Raporti nga psikiatri/psikologu (për trauma psikologjike, PTSD)
- Raportet e fizioterapisë dhe rehabilitimit
Imazhe dhe analiza
- MRI (rezonanca magnetike)
- CT scan (tomografi e kompjuterizuar)
- Radiografi
- EEG dhe EMG (nëse aplikohen)
- Analiza gjaku dhe të tjera laboratorike
5. Raporti i paaftësisë së përhershme dhe mjeku ligjor
Kur aksidenti lë pasoja të përhershme, dosja duhet të përmbajë raportin e paaftësisë së përhershme për punë, i cili e shpreh masën e paaftësisë në përqindje sipas Tabelës nr. 2 të Rregullores së AMF (Neni 12, pika 2, shkronja a). Kjo përqindje ndikon drejtpërdrejt te shuma e dëmshpërblimit.
Përqindjen e jep KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) ose komisioni mjekësor i ngritur nga shoqëria e sigurimit, me të paktën 3 mjekë specialistë të fushave të ndryshme (Neni 14, pika 5). Akt-ekspertimi zyrtar i mjekësisë ligjore nuk e vendos vetë përqindjen, por është pjesë e dokumenteve të dosjes mbi të cilat mbështetet vlerësimi.
Në dëmtimet serioze, vlerësimi duhet të bëhet kur gjendja shëndetësore të ketë arritur përmirësimin mjekësor maksimal. Koeficienti i paaftësisë nuk mund të përcaktohet para 6 muajve nga data e dëmtimit, përveç rasteve kur palët kanë rënë dakord ndryshe. Kur trajtimi vazhdon ende, vlerësimi parashikon paaftësinë pas përfundimit të tij (Tabela nr. 2, Konsiderata të përgjithshme).
Mos e humbni afatin e 2 viteve: Kërkesa për dëmshpërblim paraqitet brenda 2 viteve nga data e aksidentit (Rregullorja e AMF, Neni 5, pika 2). Mos e lini të kalojë ky afat duke pritur raportin: paraqiteni kërkesën edhe pa të dhe plotësojeni dosjen më pas. Kur kërkesa nuk është e plotë, shoqëria ju shkruan brenda 8 ditëve kalendarike se çfarë mungon (Neni 5, pika 6), ndërsa afati i trajtimit prej 90 ditësh fillon nga depozitimi i dokumentacionit të plotë (Neni 7, pikat 1 dhe 3).
Në shumicën e rasteve, përqindjet e Tabelës nr. 2 janë fikse. Prandaj vlerësimi varet nga ajo që tregon dosja mjekësore. Ekipi i Valore përfshin mjekë ligjorë, të cilët kujdesen që paaftësia juaj të dokumentohet saktë.
6. Dokumentet për dëmin pasurior (ekonomik)
Këto dokumente vërtetojnë humbjet ekonomike nga aksidenti:
- Faturat spitalore — të gjitha; ruani origjinalet
- Faturat e barnave — çdo recetë dhe blerje medikamentesh
- Vërtetimi i të ardhurave neto për 3 vitet e fundit — duke filluar nga data e aksidentit, i detajuar për çdo muaj dhe i lëshuar nga organet kompetente
- Raporti i paaftësisë së përkohshme — nga organi kompetent shëndetësor, bashkë me dokumentin e të ardhurave të përfituara gjatë kësaj periudhe
- Kontrata e punës dhe dëftesat bankare — dokumente plotësuese, që nuk e zëvendësojnë vërtetimin e të ardhurave
- Faturat e pajisjeve ndihmëse dhe të transportit për vizita mjekësore — shihni shënimin më poshtë
- Akti i ekspertimit të dëmit të mjetit — e harton specialisti i shoqërisë së sigurimit në vendndodhjen e mjetit, në praninë tuaj ose të përfaqësuesit tuaj, brenda 10 ditëve kalendarike nga njoftimi i aksidentit, dhe e nënshkruajnë të dyja palët
- Faturat e riparimit të mjetit — nëse është riparuar
- Faturat e transportit dhe të ruajtjes së mjetit, si dhe shpenzimet gjyqësore ose noteriale — përfshihen në vlerën e dëmshpërblimit për mjetin (Rregullorja e AMF, Neni 30, pika 4)
Si e ardhur vjetore merret mesatarja neto e 3 viteve të fundit. Për të papunët dhe të miturit deri në 16 vjeç merret paga minimale zyrtare bruto e vendbanimit, ndërsa për pensionistët pensioni i vitit të fundit (Rregullorja e AMF, Neni 11, pika 2; Neni 14, pika 2).
Në kërkesën ndaj shoqërisë së sigurimit, për dëmet ndaj personit rregullorja shton vetëm shpenzimet spitalore dhe farmaceutike të vërtetuara me dokumente të rregullta (Neni 14, pika 1; Neni 16, pika 5). Pajisjet ndihmëse dhe transporti për vizita mjekësore nuk përmenden si zëra më vete. Ruajini gjithsesi faturat: në një proces gjyqësor, Kodi Civil (Neni 641) merr parasysh edhe „shpenzime të tjera që kanë lidhje me dëmin e shkaktuar“, por kjo nuk e ndryshon përllogaritjen e shoqërisë së sigurimit.
Për mjetin, shumën e përllogarit një vlerësues i licencuar nga AMF (Ligji Nr. 32/2021, Neni 11, pika 3; Rregullorja e AMF, Neni 26, pika 1). Një ekspertizë e pavarur mund t’ju ndihmojë nëse e kundërshtoni vlerësimin, por nuk e zëvendëson aktin e ekspertimit.
7. Dokumente personale dhe të identifikimit
- Kartë identiteti ose pasaportë (kopje)
- Leja e drejtimit (nëse ishit shofer)
- Dokumentet e mjetit (leje qarkullimi, policë sigurimi) dhe dokumenti i pronësisë, për dëmin ndaj mjetit
- Certifikatë familjare dhe certifikatë e trungut familjar, sipas gjendjes në momentin e aksidentit, të nënshkruara dhe të vulosura nga organi kompetent
- Llogaria bankare për pagesën e dëmshpërblimit
- Numri personal i identifikimit (NIPT-i nëse jeni i vetëpunësuar)
8. Raporti Europian i Aksidentit
Ky dokument, i parashikuar në Ligjin Nr. 32/2021 (Neni 14), është një formular i standardizuar që plotësohet bashkërisht nga palët e përfshira në aksident. Ai ka disa përparësi:
- Procedurë e shkurtuar — për dëme ndaj pronës deri në 30 000 lekë, raporti i nënshkruar i bashkëlidhet kërkesës dhe pagesa bëhet brenda 14 ditëve kalendarike nga paraqitja e saj (Neni 14, pika 4; Neni 12)
- Nuk nevojitet policia vetëm kur dëmi është ndaj pronës, nuk i kalon 30 000 lekë dhe drejtuesit bien dakord. Nëse nuk bien dakord ose dëmi është mbi 30 000 lekë, duhet procesverbali i Policisë Rrugore (Neni 14, pikat 2 dhe 5)
- Standardizim me një formular të miratuar nga AMF
- Dokumentim i shpejtë i rrethanave të aksidentit: raporti i nënshkruar nga të dy drejtuesit nënkupton që ngjarja ka ndodhur siç pasqyrohet në formular, përveç kur shoqëria e sigurimit vërteton ndryshe (Neni 14, pika 3)
Afati prej 14 ditësh vlen për të gjitha kërkesat për dëme ndaj pronës deri në 100 000 lekë, jo vetëm për ato me Raport Europian (Ligji Nr. 32/2021, Neni 12). Edhe ky afat llogaritet nga depozitimi i kërkesës së bashku me dokumentacionin e plotë (Rregullorja e AMF, Neni 7, pikat 2 dhe 3).
Shoqëria e sigurimit është e detyruar t’jua dorëzojë Raportin Europian bashkë me policën e sigurimit (Neni 14, pika 1). Mbajeni në mjet gjithmonë.
9. Dokumente shtesë për raste vdekjeje
Në rastet tragjike të aksidenteve me pasojë vdekjen, familjarët duhet të sigurojnë edhe këto dokumente:
- Skeda e vdekjes
- Certifikata e vdekjes
- Raporti i autopsisë (nëse është kryer)
- Akti i përcaktimit të trashëgimtarëve të të ndjerit
- Certifikatë familjare dhe certifikatë e trungut familjar
- Vërtetimi i të ardhurave neto të të ndjerit për 3 vitet e fundit
Në kërkesën ndaj shoqërisë së sigurimit, shpenzimet e varrimit shtohen në shumën fikse prej 300 000 lekësh, pa u varur nga faturat (Rregullorja e AMF, Neni 15, pika 6). Kur i ndjeri ka qenë nën 16 vjeç, trashëgimtarët dëmshpërblehen me shumën fikse prej 2 500 000 lekësh (Neni 15, pika 4). Ruajini gjithsesi faturat e varrimit: kur i ndjeri ka qenë i vetëm në familje, nga dëmi pasuror paguhen vetëm këto shpenzime, te subjekti që ka kryer shërbimet funerale ose te shteti (Neni 15, pika 7), ndërsa Kodi Civil (Neni 643, shkronja b), në një proces gjyqësor, flet për „shpenzimet e duhura për varrimin“. Kjo nuk e ndryshon shumën fikse në kërkesën ndaj shoqërisë së sigurimit.
As varësia ekonomike nuk është kusht në këtë përllogaritje. Pjesa që zbritet nga të ardhurat varet nga numri i personave në familje (30%, 40% ose 50%; Neni 15, pika 3), ndërsa dëmi moral dhe ekzistencial varen nga lidhja familjare (Neni 19, pika 3; Neni 20, pika 3). Provat e varësisë kanë vlerë në rrugën gjyqësore sipas Kodit Civil (Neni 643, shkronja a).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë për dëmshpërblimin në rast vdekjeje.
10. Checklist i plotë për ju
Kontrolloni që keni mbledhur të gjitha dokumentet e mëposhtme:
- Kërkesa për dëmshpërblim, e paraqitur brenda 2 viteve nga aksidenti, dhe numri i saj i regjistrimit
- Fotografitë dhe videot nga vendngjarja
- Të dhënat e dëshmitarëve dhe palës tjetër
- Raporti i policisë rrugore
- Raporti Europian i Aksidentit (nëse u plotësua)
- Raporti i urgjencës dhe pranimit në spital
- Të gjitha epikrizat dhe raportet e specialistëve
- MRI, CT scan, radiografi dhe analiza të tjera
- Raporti i paaftësisë së përhershme, me përqindjen sipas Tabelës nr. 2, dhe akt-ekspertimi i mjekësisë ligjore, nëse është kryer
- Të gjitha faturat spitalore dhe të barnave
- Vërtetimi i të ardhurave neto për 3 vitet e fundit, i detajuar për çdo muaj
- Raporti i paaftësisë së përkohshme dhe dokumenti i të ardhurave të asaj periudhe
- Dokumente identifikimi personal, certifikatë familjare dhe e trungut familjar
- Llogaria bankare për pagesën
- Dokumente të mjetit (policë sigurimi, leje qarkullimi, dokument pronësie)
- Akti i ekspertimit të dëmit të mjetit, i nënshkruar nga të dyja palët
Valore bën punën për ju: Nuk keni nevojë t’i mblidhni vetë të gjitha këto dokumente. Ekipi ynë koordinon gjithçka — kërkon raportet nga spitalet, merr raportin e policisë, kontakton mjekun ligjor, dhe përgatit dosjen e plotë. Ju fokusoheni tek shërimi, ne te dëmshpërblimi.
Hapi tjetër: Paraqitja e kërkesës
Mos prisni që dosja të jetë e plotë: paraqitja zyrtare e kërkesës për dëmshpërblim tek kompania e sigurimeve të shoferit fajtor, ose te Byroja Shqiptare e Sigurimit në rastet e parashikuara me ligj, duhet bërë brenda 2 viteve nga data e aksidentit (Rregullorja e AMF, Neni 5, pikat 1 dhe 2). Kërkesa paraqitet me shkrim ose në rrugë elektronike, dhe shoqëria duhet t’ju japë një numër regjistrimi, që shërben si vërtetim (Neni 5, pikat 3 dhe 4). Dokumentet që mungojnë mund t’i plotësoni më pas.
Me dokumentacionin e plotë, shoqëria ka 90 ditë kalendarike për të trajtuar dëmet ndaj personit dhe 30 për dëmet ndaj pronës. Pagesa bëhet brenda 14 ditëve kalendarike pas përfundimit të afatit të trajtimit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pikat 1, 2 dhe 4). Kontrollojeni mirë shumën para se ta nënshkruani këtë deklaratë: pasi të pranoni me vullnet të lirë dhe të paguheni, nuk mund të kërkoni vlerë tjetër (Neni 10, pika 9).
Për një udhëzues vizual të plotë me kategoritë e dokumenteve, vizitoni faqen tonë Dokumentacioni i Nevojshëm. Lexoni edhe artikullin tonë për të drejtat tuaja pas aksidentit.
Kontaktoni Valore për një konsultë falas. Ekspertët tanë do të vlerësojnë dosjen tuaj dhe do t’ju tregojnë çfarë mungon dhe si ta kërkoni dëmshpërblimin që ju takon sipas ligjit.
Pse Valore
Jemi në krahun tuaj, jo të sigurimeve
Një dosje e plotë kërkon kohë dhe shumë vajtje-ardhje nëpër zyra, pikërisht kur ju duhet të shëroheni. Ja çfarë ndryshon kur dosjen e ndjek Valore.
- Mbi 28 vjet përvojëPrej më shumë se 28 vitesh menaxhojmë çështje dëmshpërblimi në fushën civile dhe penale.
- Mbi 400 profesionistëNë ekipin tonë punojnë avokatë, konsulentë ligjorë, inxhinierë të aksidenteve, mjekë ligjorë dhe psikologë.
- Konsultimi është falasNa tregoni çfarë ndodhi. Për konsultimin nuk paguani asgjë.
- Pagesë vetëm në rast rezultatiPagesa jonë është përqindje e dëmshpërblimit që merrni dhe caktohet kur na e besoni çështjen. Të gjitha shpenzimet e nevojshme i përballojmë ne.
- Në dispozicion 24 orë në ditëKonsulentët tanë ju takojnë në shtëpi ose me video-call. Jemi gati të ndërhyjmë në të gjithë Shqipërinë.
- I njëjti sistem si në ItaliSistemin e strukturuar dhe të certifikuar që zbatojmë në Itali, tani e ofrojmë edhe për Shqipërinë.
Tiranë, Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Kullat Binjake, kulla 1, kati 10, dera 33 · info@valore.al