Procedura e plotë për dëmshpërblim nga aksidentet rrugore
Udhëzues hap-pas-hapi sipas Ligjit Nr. 32/2021. Mësoni saktësisht si funksionon procesi — nga momenti i aksidentit deri te arkëtimi i dëmshpërblimit — me afate, dokumente dhe të drejta ligjore.
Kuadri ligjor në Shqipëri
Dëmshpërblimi nga aksidentet rrugore në Shqipëri rregullohet nga një sistem i koordinuar ligjesh. Ligji Nr. 32/2021 është përafruar pjesërisht me Direktivën 2009/103/KE të BE-së. Ja tri pika referimi ligjore më të rëndësishme:
Ligji Nr. 32/2021
"Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit" — hyri në fuqi më 1 korrik 2021. Dy kufij minimalë (për çdo person dhe për ngjarje te mjetet e tjera) rriten çdo vit për kontratat e lidhura nga 1 janari 2022 deri më 31 dhjetor 2026. Përcakton edhe afatet e trajtimit dhe Raportin Europian.
Ligji Nr. 7850/1994
Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë — përcakton parimet e përgjegjësisë civile, kategoritë e dëmeve, dhe afatet e parashkrimit për kërkesat e dëmshpërblimit.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Rregulloret e AMF-së për trajtimin e dëmeve përcaktojnë procedurat e detajuara, tabelat e vlerësimit, dhe detyrimet e kompanive të sigurimeve.
Procesi i dëmshpërblimit hap pas hapi
Nga momenti i aksidentit deri te arkëtimi i dëmshpërblimit, çdo hap ka afate ligjore dhe dokumente specifike. Ja si funksionon sipas Ligjit Nr. 32/2021.
Siguria dhe ndihma mjekësore
Prioritet absolut: siguria juaj. Lëvizni në vend të sigurt, ndizni flasheret, vendosni trekëndëshin e sigurisë. Thirrni menjëherë:
- 127 — Urgjenca mjekësore (ambulanca)
- 129 — Policia rrugore
- 128 — Zjarrfikëset (nëse ka rrezik zjarri)
Edhe nëse nuk ndiheni keq, shkoni tek mjeku — shumë lëndime (qafa, shpina, koka) shfaqen ditë më vonë.
Dokumentimi dhe raportet zyrtare
Mblidhni provat nga vendngjarja dhe merrni dokumentet zyrtare:
- Foto të dëmeve, vendit, targave, gjurmëve
- Të dhëna të palës tjetër (emër, kompani sigurimi, policë)
- Kontakte të dëshmitarëve
- Raport i policisë rrugore (numri i raportit)
- Raport Europian i Aksidentit — për dëme ndaj pronës deri në 30 000 lekë, nëse drejtuesit bien dakord; përndryshe merret procesverbali i Policisë Rrugore
Raporti i policisë është dokumenti më i rëndësishëm për fazat e ardhshme. Shihni listën e plotë te dokumentacioni i nevojshëm.
Njoftimi i kompanisë së sigurimeve
Njoftoni kompaninë e sigurimeve sa më shpejt pas aksidentit. Afatet e trajtimit sipas Nenit 10 të Ligjit Nr. 32/2021 (90 ditë për dëme ndaj personit, 30 ditë për dëme ndaj pronës) nisin vetëm kur depozitoni kërkesën me dokumentacionin e plotë. Njoftimi mund të bëhet me:
- Vizitë në zyrën e kompanisë së sigurimeve
- Letër rekomande me kthim
- Email në adresën zyrtare të dëmeve
Kujdes: Mos pranoni fajin dhe mos diskutoni shumat pa u konsultuar me ekspert dëmshpërblimi. Kur paraqitni kërkesën në formularin e shoqërisë, duhet të plotësoni të gjitha hapësirat dhe të shpjegoni rrethanat e ngjarjes (Rregullorja AMF nr. 125/2021, Neni 10, pika 1).
Konsultimi me ekspertin dhe mbledhja e dosjes
Kontaktoni Valore për konsultë falas. Eksperti i dëmshpërblimit do të:
- Vlerësojë rastin dhe dëmshpërblimin e pritshëm
- Koordinojë mbledhjen e dokumentacionit mjekësor
- Organizojë vizitat mjekësore të specializuara
- Komunikojë me kompaninë e sigurimeve në emrin tuaj
Valore bën paradhënien e të gjitha shpenzimeve të nevojshme — nuk paguani asgjë deri kur të merrni dëmshpërblimin.
Dosja mjekësore dhe shkalla e paaftësisë
Pasi gjendja juaj mjekësore të jetë stabilizuar, vlerësohet shkalla e paaftësisë së përhershme. Në kërkesën ndaj sigurimit, koeficientin e humbjes së aftësisë për punë e jep KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) ose komisioni mjekësor i shoqërisë së sigurimit, me të paktën 3 mjekë specialistë, duke u mbështetur në Tabelën nr. 2 (Rregullorja AMF nr. 125/2021, Neni 14, pika 5). Vlerësimi mbështetet te dokumentet e dosjes së dëmit, si:
- Kartelat klinike të trajtimit spitalor dhe kartela mjekësore personale
- Epikrizat, konsultat mjekësore dhe ekzaminimet, si grafia, skaneri ose rezonanca magnetike
- Raportet e paaftësisë, nga komisionet mediko-legale ose nga KMCAP
- Akti zyrtar i ekspertimit të mjekësisë ligjore, që mund të shërbejë si provë
Shkalla e paaftësisë ndikon fort në llogaritje, por nuk është elementi i vetëm: dëmshpërblimi për humbjen e të ardhurave varet edhe nga të ardhurat tuaja vjetore dhe nga koeficienti i Tabelës nr. 1, ndërsa dëmi biologjik edhe nga mosha. Shumën e përllogarit një vlerësues i licencuar nga AMF (Ligji Nr. 32/2021, Neni 11, pika 3).
Kujdes: Kërkesa për dëmshpërblim paraqitet brenda 2 viteve nga data e aksidentit (Rregullorja AMF nr. 125/2021, Neni 5, pika 2). Nëse afati po afrohet, mos e prisni stabilizimin: vlerësimi mjekësor mund të parashikojë paaftësinë edhe kur trajtimi nuk ka mbaruar (Tabela nr. 2). Nëse mungon ndonjë dokument, shoqëria e sigurimit duhet t'jua kërkojë me shkrim brenda 8 ditëve kalendarike.
Paraqitja zyrtare e kërkesës dhe negociatat
Pas përgatitjes së dosjes së plotë, kërkesa zyrtare i paraqitet kompanisë së sigurimeve, gjithmonë brenda 2 viteve nga data e aksidentit. Afatet e trajtimit dhe të pagesës, në ditë kalendarike nga depozitimi i kërkesës me dokumentacionin e plotë (Ligji Nr. 32/2021, Nenet 10 dhe 12; Rregullorja AMF nr. 125/2021, Neni 7): Si llogaritet çdo zë, e shpjegojmë te dëmshpërblimet në rast aksidenti.
- 14 ditë — pagesa për dëme ndaj pronës deri në 100 000 lekë
- 14 ditë — pagesa për raste me Raport Europian deri në 30 000 lekë
- 30 ditë — trajtimi i dëmeve ndaj pronës mbi 100 000 lekë
- 90 ditë — trajtimi i çdo dëmi ndaj personit, edhe kur dëmtimet trupore janë të rënda
Kompania e sigurimeve do të ofrojë një shumë fillestare — që mund të jetë nën vlerën reale. Eksperti negocion për shumën e plotë që ju takon. Mund të bëni ankim pranë shoqërisë, e cila duhet të përgjigjet brenda 15 ditëve kalendarike. Nëse shoqëria nuk përgjigjet brenda afatit, ose nëse nuk jeni dakord me ofertën apo me shkaqet e refuzimit, keni të drejtë të ngrini padi civile (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pikat 7 dhe 10).
Nënshkrimi dhe arkëtimi i dëmshpërblimit
Pasi arrihet marrëveshja për shumën:
- Nënshkruhet marrëveshja përfundimtare
- Dëmshpërblimi transferohet në llogarinë tuaj bankare
- Pagesa bëhet brenda 14 ditëve kalendarike pas përfundimit të afatit të trajtimit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pika 4)
- Valore paguhet nga kjo shumë, me përqindjen e rënë dakord paraprakisht
Kujdes: Marrëveshja përfundimtare heq të drejtën tuaj për të kërkuar dëmshpërblim shtesë më vonë. Prandaj, asnjëherë mos e nënshkruani pa rishikimin e një eksperti.
Afatet që nuk duhet t'i humbisni
Ligji Nr. 32/2021 dhe Rregullorja AMF nr. 125/2021 përcaktojnë afatet kryesore të procesit. Humbja e këtyre afateve mund të dobësojë çështjen tuaj ose të çojë në humbjen e të drejtës për dëmshpërblim.
Kërkesa e paplotë
Kur kërkesa nuk është e plotë, siguruesi duhet t'jua kërkojë me shkrim dokumentet që mungojnë brenda 8 ditëve kalendarike (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pika 5).
Pagesa e shpejtë (dëme ndaj pronës deri në 100 000 lekë)
Afati maksimal për pagesën e dëmeve ndaj pronës deri në 100 000 lekë (Ligji Nr. 32/2021, Neni 12).
Pagesa me Raport Europian
Për dëme ndaj pronës deri në 30 000 lekë me Raport Europian të Aksidentit, pagesa brenda 14 ditësh. Procedura pa polici vlen vetëm nëse drejtuesit bien dakord; përndryshe duhet procesverbali i Policisë Rrugore (Ligji Nr. 32/2021, Neni 14).
Trajtimi i kërkesës
Kompania e sigurimeve duhet të përgjigjet me ofertë ose arsyetim refuzimi brenda 90 ditëve kalendarike për dëme ndaj personit dhe brenda 30 ditëve për dëme ndaj pronës mbi 100 000 lekë, nga depozitimi i kërkesës me dokumentacionin e plotë (Ligji Nr. 32/2021, Neni 10, pikat 1 dhe 2). Këto afate nuk zbatohen për aksidente me mjete të regjistruara jashtë shtetit me karton jeshil ose me mjete të pasiguruara dhe të paidentifikuara (Neni 10, pika 11).
Kufiri minimal TPL, kontrata 2026
Kufiri minimal për çdo person të dëmtuar sipas Nenit 25/5 të Ligjit Nr. 32/2021 (bazë 22M + 5 vjet x 2M rritje sipas Nenit 25/9/b). Për një ngjarje sigurimi për mjete të tjera arrin 75 milionë lekë. Kufiri varet nga data e lidhjes së kontratës, jo nga viti i aksidentit: kontratat e vitit 2025 kanë 30M dhe 71M, ndërsa nga viti 2027 kufijtë mbeten si në 2026. Kontrata mund të përcaktojë edhe një vlerë më të lartë.
Kërkesa dhe padia kundër sigurimeve
Kërkesa për dëmshpërblim i paraqitet shoqërisë së sigurimit ose Byrosë Shqiptare të Sigurimit brenda 2 viteve nga data e aksidentit (Rregullorja AMF nr. 125/2021, Neni 5, pika 2). Edhe padia për shumën nga sigurimi i detyrueshëm parashkruhet për 2 vjet (Kodi Civil, Neni 115/ç), që nga dita kur lind e drejta e padisë (Neni 117). Kundër shoferit fajtor direkt afati është 3 vjet.
Çfarë mund të shkojë keq në proces
Pa përgatitje të duhur, procesi i dëmshpërblimit ka shumë pika ku gjërat mund të shkojnë keq. Ja gabimet më të kushtueshme që bëjnë viktimat në Shqipëri.
Kërkesa e paplotë
Afatet e Nenit 10 të Ligjit Nr. 32/2021 nisin vetëm nga depozitimi i kërkesës me dokumentacionin e plotë. Çdo dokument që mungon e shtyn trajtimin.
Pranimi i ofertës së parë
Oferta e parë mund të jetë nën vlerën reale. Mos e pranoni kurrë pa konsulencë.
Mungesa e raportit mjekësor të hershëm
Pa raport mjekësor nga ditët e para, sigurimet argumentojnë se lëndimet nuk janë nga aksidenti.
Pranimi i fajit në vendngjarje
Çdo fjalë e thënë policisë ose palës tjetër mund të përdoret kundër jush më vonë.
Shkalla e paaftësisë pa u kontrolluar
Shkallën e jep KMCAP ose komisioni mjekësor i sigurimit, sipas Tabelës nr. 2. Prej saj varen dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial, si dhe humbja e të ardhurave kur vërtetohet. Kontrolloni nëse dosja i pasqyron të gjitha pasojat.
Nënshkrimi i marrëveshjes së parakohshme
Marrëveshja përfundimtare heq të drejtën për dëmshpërblim shtesë. Mos e nënshkruani pa ekspert.
Pse procesi me Valore funksionon më mirë
Krahasim i drejtpërdrejtë mes trajtimit individual të një rasti dhe përfaqësimit profesional nga ekspertët e Valore.
Filloni procesin e dëmshpërblimit sot
Mos humbisni afatet ligjore dhe mos lejoni që sigurimet të vendosin vlerën e dëmit tuaj. Konsultë falas, me ekspertë që njohin çdo detaj të Ligjit Nr. 32/2021.